Nënshkruhet Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit Haxhi Zeka në Pejë dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal

U nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit Haxhi Zeka në Pejë (UHZ) dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal. Me këtë rast, Rektori i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë (UHZ), Prof.dr. Armand Krasniqi, bashkë me përfaqësues të UHZ-së, pritën në takim ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Z. Fikrim Damka. Ministri Damka u shoqërua nga Zv. Ministri Agon Dobruna dhe përfaqësues tjerë të kësaj ministrie. Pjesëmarrës në takim ishte edhe Z. Reshat Nurboja, Këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Z. Glauk Konjufca.

Rektori Krasniqi iu uroj mirëseardhje të pranishmëve duke thënë se e vlerëson lart prezencën e tyre në takim. Në fjalën e tij hyrëse Rektori theksoi orientimin e UHZ-së drejt arritjes së objektivave strategjike. Po ashtu, edhe vizionin e qartë përmes të cilit UHZ do të dëshmoj veten si institucion kredibil i arsimit të lartë.

Në anën tjetër, Ministri Damka u shpreh i nderuar që ishte i pranishëm në hapësirat e UHZ-së. Ai tha se kjo ishte hera e parë që ndodhej në Universitetin tonë duke theksuar se ky takim do t’i paraprijë bashkëpunimit të afërt që po ndërtohet ndërmjet dy institucioneve.

Në përgjithësi, diskutimi u shtrua mbi çështjen e Forumit të Zhvillimit Ekonomik i cili do të udhëhiqet nga UHZ. Ky Forum paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për punë të përbashkët ndërmjet Universitetit, Komunave dhe Qeverisë. Ministri Damka bëri të qartë mbështetjen e plotë që ofron Ministria të cilën ai e udhëheq për UHZ-në. Gjithashtu, u diskutua edhe u dakordua për fillimin e financimit të mikro-bizneseve dhe bizneseve të vogla përmes inkubatorëve të biznesit që do të zhvillohen në UHZ.

Takimi u përmbyll me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes të dyja institucioneve. Të dyja palët u shkrehën të kënaqur me këtë akt dhe janë të gatshme për të vazhduar me punët që i presin.

1 Comment

Leave a reply